Foto: Aleksandër Prosi
(Shkodër: 6 Janar 1920 – Durrës: 24 Mars 1985).
Bajram Sefaj
t r e g i m
nuk çelë më pranvera… !
( në kujtim të sandër prosit)
Shkallë, shkallë…, shkallë, shkallë…
Kur ngjiti shkallët më të larta të artit teatror, papritmas çeli «pranverë e hidhur!».
S’ka si bëhet më e hidhur, ishte ajo pranverë.
Mbi zallin e imët kristalor të plazhit të madh të qytetit të bukur bregdetar, atë stinë të hidhur, kushedi në e sollën valët e detit, që i trazonte dhe i tallazistte puhizë ngjitëse me syprinën e ujit, në vinte nga anë e panjohur, nga shtigje të errëta gjithësie…?
Ishte ditë e enjte. Katërmbëdhjetë i muajit mars, ishte numri i asaj dite, në kalendar…
Shkallë, shkallë…, shkallë, shkallë…
Vetëm edhe një skenë, hiç tjetër, duhej rixhiruar, edhe një «dubël», rezervë.
Regjisorit i ishte tekur se ishte i domosdoshëm.
Pas kësaj, premtonte ai, çdo gjë do të përfundonte mbarë.
Do të fiken dritat e reflektorëve. Do të mbyllen kamerat. Do të mbështillen rekuizitat. Do të çmontohet skenografia. Pjesët e kostumeve do të palosen, në arka…
Do të pushojë çdo gjë.
Sheshi i xhirimit s’do të gumëzhijë më. Me thirrje e britma që aq shumë ngjajnë në turbullirë.
Shkallë, shkallë… shkallë, shkallë, shkallë…
Përfundimi i xhirimit të këtij filmi të ri artistik, pritej të shënonte dy të qëlluara përnjëherë: ngjitjen e artit kinematografik, në përgjithësi, në shkallë më të lartë, por edhe një shkëlqim të ri të bartësit të rolit kryesor, në veçanti.
Dy të arrira, të mira e të dashura, ngase janë të afërta si dy motra binjake që pinë ujë nga i njëjti burim.
Shkallë, shkallë… shkallë, shkallë…
Në çastin kur aktori përsëriste rrokjet e fundit të një bisht teksti të shkurtër, për ta thënë atë sa më mirë, para kamerave, drejt e pa gabime, në dhomën e hotelit «Puhia», kobshëm shkrepi një zë!
Nuk ishte, jo!, zëri që aq shpesh, për gjithë ato ditë, ftonte në shesh xhirimi.
Zëri nuk e thirri, por e theri, në zemër!
Si majë thike e helmuar !
Nga vinte ajo thirrje. Nëpër cilën rrugë të fshehtë? Çfarë porosie sillte ajo? Nga vinte? Nga përvidhej?
Aktorit zemra iu dalldis, veshët i morën oshtimë të thellë. Tronditëse. Marramendëse ishte ajo turbullirë e thellë. Vdektore!
Shkallë…
Krye shkallëve të katit të tretë të hotelit, aktorit kryesor, sakaq i shket këmba e, shakull bie para këmbëve të recepsionistit dhe të mysafirëve e klientëve të rastit, kur qëllojnë atypari.
Përplasja ishte e fortë, e pamëshirshme.
Pas vetes nuk linte asnjë shpresë, për asgjë tjetër, pos konstatimit…
Recepsionisti, mysafirët, personeli i gjithi, sakaq ishin mbledhur rreth trupit të pajetë të aktorit. Me vaje, gulçima dhe britma të mëdha, sikur qiejve në gjithësi t’i nisnin lutje për ringjalljen e tij, me besimin se vdekja e tij nuk ishte tjetër pos një rol i interpretuar mirë e me besnikëri madhështore. Ashtu siç kishte ndodhur aq shpesh me heronjtë e galerisë së pasur që i kishte interpretuar gjatë karrierës së tij të pasur, si aktor filmi e teatri.
Trupin e plandosur për dyshemenë e mermertë e të rrafshët të hotelit, spektatorët e rastit, e kishin përjetuar si një shajni. Si një ëndërr. Një vegim të rremë, asgjë tjetër!
Sh, sh…, sh, sh …
Ngurrimi i thatë, i ftohtë, heshtja e thellë, si të mos kishte ndodhur asgjë prej gjëje, vinte nga andej. Anës së taborit të ekipit realizues. Nga anë e aktorëve.
Ishte kjo një befasi alarmuese. Ashtu siç ishte kryeneçe vetë inercia e regjisorit. Jo vetëm nuk i avitej kufomës me kokë të çarë të protagonistit kryesor të filmit të tij, por ndalonte edhe të tjerët të afroheshin. Ngeshëm priste mjekun legjist, ekspertin gjyqësor, policinë, hetuesinë… në vendin e ngjarjes…
Sh, sh…, sh, sh…
Përfundimin tragjik të aktorit, kjo e bëri edhe më të rëndë. Të zymtë. E mbështolli me futë të zezë. Mortin e pllakosi terr i zi dyshimi. Prerje. Grirje…
Atë ditë e sot, s’u mor vesh asgjë!
«Pranverë e hidhur», lidhur.
Enigmë!
Mister!
Mjegull!
Mos, vallë, në vetë titullin e filmit, – pranverë e hidhur, – fshihej mallkimi!
Sh, sh…., sh, sh…
Mos fol!
Shukat!
Shët!
(diku në francë, pranverë – 2001)